Fjalët nuk kushtojnë asgjë, por jo gjithmonë mund të hidhen krejtësisht poshtë si pa vlerë. Një e vërtetë që mbetet në tentativë mund të quhet hipokrizi, apo formim jo i plotë dhe që ndoshta mund të përsoset më vonë. Këtë herë e kemi fjalën për thënien e Tomas Mylerit, pasi ylli i Bajernit të Mynihut, theksoi se “futbollistët modernë janë si të mirat material (apo thjesht “mallra” – commercial goods)”. “Asnjë qenie njerëzore nuk e vlen rrogën absurd që paguhet në këtë cirk të madh”, – vazhdoi kampioni i botës me Gjermaninë.
Tingëllon bukur në vesh një shprehje e tillë, por nëse qendron dhe mendohesh edhe pak, pyet: A e refuzon Myleri rrogën e tij prej miliona eurosh në sezon? Deri tani nuk kemi ndonjë lajm që nuk e merr, pra jo vetëm që kjo është një e vërtetë e thënë përgjysmë, por edhe një hipokrizi, pasi vetë “i zoti i punës” ndryshe flet, e ndryshe vepron.
Në historinë e njerëzimit, ata njerëz që kanë këmbëngulur për të vërtetat që sot quhen krejt normale, kanë paguar shumë për karakterin e tyre. Sokratit i dhanë gotën e helmit, Xhordano Brunon e dogjën në turrën e druve, Galileo Galilein e nxorrën përpara gjyqit të inkuizicionit, Nikollai Kopernikun e quajtën të çmendur, ndërsa Marksin e lanë pa punë dhe pa të ardhura. Epo, Myleri nuk është në lartësinë e këtyre, kjo duket qartë.
Sfidanti.al