Shpesh ka qenë reparti më i kritikuar sepse ka pësuar gola me shumicë. Këtë herë sërish i pësoi dy, por Bajerni shpëtoi në “Signal Iduna Park” pikërisht nga mbrojtje. Dajot Upamekano mori çmimin “Kaizer Bekenbauer” pas ndeshjes nga mediat bavareze. Futbollisti francez ishte i pagabueshëm dhe nuk pati faj te golat. Nga ana tjetër, vlerësime të larta morën Leon Gorecka, Xhamal Musiala dhe Leroi Sane, por gjithsesi bavarezët nuk bindën plotësisht, edhe pse ështe e kuptueshme në një derbi të tillë. Gorecka dhe Sane i dhanë Bajernit epërsinë 2-0, por Mukoko në 74’ dhe Modeste në minutën e pestë shtesë barazuan shifrat.
“Modeste ishte njeriu që meritonte shkëmbimin e bluzës”, ishte komplimenti i mediave në Mynih. Ndeshja në Dortmund u cilësua si një “ndeshje e arteve të përziera marciale”, si një “luftë në kafaz”, ku asnjëra skuadër nuk u tërhoq, por që të dyja jepnin grushte pa pushim. Kritikat u bënë për kartonin e kuq të Komanit, keqardhje për daljen nga fusha të De Ligtit, ndërsa pati akuza për arbitrin. Gjithsesi, u theksua se ekipi e fali barazimin dhe se duhet të luajë më mirë. “Mos është vallë Bajerni në krizë përsëri?”, është pyetja në Bavari dhe përgjigja që jepet është: “Ndoshta!”
Sfidanti.al