Çelsi “dërgon në djall” një Milan të plagosur, çfarë fitoreje në Champions

Trajneri vendas, Graham Poter, e ka të qartë se pati përballë një skuadër me “tetë plagë”, pra me 8 mungesa, dhe kjo ndikoi. Gjithsesi, Milani ka aq forca sa për të luajtur mirë një ndeshje Championsi edhe me kaq shumë probleme, ndërsa Çelsi i këtij sezoni nuk kishte bindur aspak. Të gjitha këto u lanë pas dhe u harruan me kalimin e minutave, ndërsa Blutë e Londrës fituan 3-0 duke u ngjitur në vendin e dytë në grup, pikërisht mbi italianët. Golat u shënuan nga Fofana, Obamejang dhe Risi Xhejms. Ky i fundit u vlerësua si lojtari më i mirë i ndeshjes, ndërsa mbuloi fort Leaon, shërbeu për golin e dytë dhe shënoi të tretin. “Nuk ishte e lehtë, – tha Obamejangu, – Milani luajti mirë në pjesën e parë. Ka sulmues shumë të mirë. Mbrojtësit ishin shumë të fortë. Ne nuk e ulëm ritmin dhe u shpërblyem. Është më bukur kur fiton. Ne patëm besim tek vetja”.

Rezultatet e Championsit

Grupi E: Salcburg-Dinamo Zagreb 1-0, Çelsi-Milan 3-0. Renditja: Salcburgu 5, Çelsi 4, Milani 4, Dinamo 3.

Grupi F: Lajpcig-Sëlltik 3-1, Real Madrid-Shahtar 2-1. Renditja: Reali 9, Shahtari 4, Lajpcigu 3, Sëlltiku 1.

Grupi G: Man. Siti-FC Kopenhagen 5-0, Sevilja-Dortmund 1-4. Renditja: Siti 9, Dortmund 6, Sevilja 1, FC Kopenhagen 1.

Grupi H: Benfika-Paris SG 1-1, Juventus-Makabi Haifa 3-1. Renditja: Paris SG 7, Benfika 7, Juventusi 3, Makabi 0.

Sfidanti.al