Vetëm 14 futbollistë në historinë e këtij sporti kanë arritur t’i shkëpusin maksimumin të përditshmes së shquar franceze. Këtë e bëri Erling Halandi, ndërsa shumë pak yje mund të mburren se kanë marrë notën 10. “L’Ekip” ia dha notën më të lartë të mundshme sulmuesit të Mançester Sitit pasi norvegjezi shënoi 3 gola dhe shërbeu 2 asistë në fitoren 6-3 të “qytetarëve” në derbin ndaj Mançester Junajtidit.
Mesi është i vetmi që ia ka dalë dy herë, së pari kur shkëlqeu në triumfin e Barcelonës ndaj Arsenalit në Champions në vitin 2010, dhe më pas kur shënoi 5 gola ndaj Leverkusenit gjithashtu në Ligën e Kampionëve, në fitoren e madhe 7-1 të katalanasve të Pep Guardiolës. Robert Levandovski e mori 10-ën me yll për katër golat ndaj Realit të Madridit të Murinjos me fanelën e Borusias së Dortmundit në gjysmëfinale të Championsit në 2013. Superylli polak ishte i jashtëzakonshme për ekipin e Jurgen Klopit.
Serzh Gnabri shkëlqeu në suksesin e Bajernit ndaj Totenhemit në Londër, në fitoren 7-2, duke realizuar 4 gola e duke marrë topin e ndeshjes. Nejmar bindi “L’Ekipin” për paraqitjen mbresëlënëse me fanelën e Paris SG ndaj Dizhonit në “Parkun e Princave” para 5 sezoneve duke shënuar gjithashtu 4 gola.
Nuk mund të mungonte idhulli i Francës, Kilian Mbape, që mori 10-ën e tij me bluzën e kombëtares në fitoren 8-0 ndaj Kazakistanit në eliminatoret e Kupës së Botës në Katar duke tundur rrjetën edhe ai katër herë. Një nga të vetmit portierë është Alban Lafont i Nantës që u bë i pakalueshëm me Nantën sezonin e kaluar të kampionatit francez ndaj Paris SG, duke ndaluar radhazi Mbapenë e Nejmarin, ndërsa ekipi i tij fitoi 3-1, ndërsa disa nga yjet e tjerë me 10-ta janë Lukas Moura i Totenhemit apo Dushan Tadiç i Ajaksit.
Sfidanti.al