Kryqëzohet Turqia pas turpit me Ishujt Faroe, kërkohet “koka” e trajnerit!

Në krahasim me këtë, humbja jonë në Izrael duket një sukses. Nuk ka sesi të jetë ndryshe kur mëson se Turqia u mund 1-2 në fushën e Ishujve Faroe në Ligën e Kombeve. Përfaqësuesja e një vendi me 80 milionë banorë dhe me pretendime, u dorëzua përballë një ekipi amator të një vendi me vetëm 54 000 banorë, më pak sesa kapaciteti i stadiumit “Ataturk” në Stamboll. Davidsen dhe Edmunson shënuan golat për vendasit, ndërsa për turqit nuk mjaftoi rrjeta e Serdar Gurlerit në minutën e parafundit. Trajneri Stefan Kunc pranoi përgjegjësinë e tij dhe kritikoi ekipin.

“Kundërshtari luftoi më shumë se ne, – tha ai, – Ishujt Faroe patën më shumë dëshirë për fitoren. Në të kaluarën ne kemi marrë grushta të forta, por këtë herë u rrëzuam në tapet. Një dhimbje e madhe, por gjithsesi, ne do të ngrihemi përsëri në këmbë. Nuk do të dorëzohemi”. Federata Turke doli në krah të trajnerit duke thënë se ai do të vazhdojë të jetë në detyrë edhe pas kësaj disfate, ndonëse atmosfera në opinionin publik dhe tek mediat nuk është aspak e favorshme. Turqia, që shpreson të jetë sërish një skuadër e madhe si dikur në kohën e Hakan Shukurit, pati një tjetër tronditje kur u ndal në barazim 3-3 nga Luksemburgu.

Analistët dhe gazetarët televizivë në Stamboll e Ankara kërkuan “kokën” e gjermanit. “Stoli i tij është lëkundur shumë pas kësaj humbjeje”, – titullon e përditshmja sportive “Fanatik”. E përditshmja tjetër sportive “Fotomaç” e cilëson humbjen “nokaut”, dhe kritikon ashpër futbollistët si dhe trajnerin Kunc! Tekniku gjerman u emërua në detyrë pas largimit të Shenol Gyneshit, njërit prej mjeshtrave më të mëdhenj të stolit në futbollin turk, që dha dorëheqjen ndërsa ekipi dështoi në finalet e Kampionatit Europian duke i humbur të treja ndeshjet në grup.

Sfidanti.al