Liga e Kombeve, Holanda e Kroacia në gjysmëfinale, po Portugalia e Hungaria ç’do të bëjnë?!

Mjaftoi një gol i një mbrojtësi për të vendosur fatin e një sfide kaq të vështirë. Holanda e mundi Belgjikën e frikshme 1-0 në fushën e saj, duke vulosur vendin e parë në grup dhe kualifikimin për në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve. “Tulipanët”, një nga ekipet më të mirë të Nivelit A, pretendojnë trofeun. Virgil Van Dajk ishte autori i rrjetës në një ndeshje ku belgët e mbajtën më shumë topin, por nuk shënuan dot. Në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve, edhe Kroacia, ndërsa fuqia ballkanike e futbollit nuk zhgënjen thuajse asnjëherë. Fitore 3-1 në stadiumin “Ernst Hapel” (apo Prater) të Vjenës me gola të Luka Modriçit, Livajës e Lovrenit.

Tani është radha për të përcaktuar gjysmëfinalistët e tjerë, me Hungarinë që kryeson grupin me 10 pikë ndaj 8 të Italisë. Hungaria pret sot italianët në stadiumin “Ferenc Pushkash” të Budapestit në orën 20:45, e në të njëjtën orë luhet klasikja e madhe e futbollit, këtë herë pa vlerë, Angli-Gjermani në “Uembli”. Nesër është radha e derbit iberik mes Portugalisë e Spanjës gjithashtu në 20:45, ku spanjollëve u duhet vetëm fitorja për të dalë të parët në grup.

Sfidanti.al