Prag Reali, Sarri ka besim, ndërsa Hamshik provokon Juventusin!

Mauricio Sarri e thotë që në fillim, dhe duket qartë se bën lojë dinake psikologjike. “Është një ndeshje thuajse e pamundur, – shprehet trajneri i Napolit, në prag të përballjes me Realin në Champions, – por, do të bëjmë çmos t’ua bëjmë jetën shumë të vështirë madrilenëve”. “Ne kemi përballë kampionët e botës dhe të Europës, – vazhdon Sarri, – ata janë skuadra më e fortë dhe është normale që turin ta kalojnë ata, gjithsesi, ne kemi me vete tifozët kampionë të botës dhe këtë do ta shohë e gjithë Europa”. Reali shënon prej 46 ndeshjesh me radhë, por trajneri i Napolit, thotë se “do të bëjmë çmos që t’ua sjellim mendjen vëdallë”.

Marek Hamshik është kapiteni dhe nuk ngurron të thotë fjalë të forta. “Mezi pres të zbres në fushë, është nga ato prag ndeshje që nuk harrohen kurrë, – thekson sllovaku, – mezi pres të dëgjoj thirrjen “Champions”, që do të dëgjohet deri në Torino”. Padyshim, ky ishte një provokim për Juventusin, një nga rivalët e sezonit në Itali, por gjithsesi, Hamshik e ka më shumë mendjen tek ndeshja sesa tek kampionët e Serisë A. “Ndjej entuziazëm në qytet, – vazhdon ai, – po ashtu e di se këto lloj ndeshjesh të mëdha ne nuk i shkojmë kurrë kot, aq më tepër nga mbështetja e tifozëve”.

Sfidanti.al