Tirana të paktën humbi me Vllazninë, e barazoi në Kukës e në Kamzë me Kastriotin. Me gjatë me krutanët nuk mund të fitonte siç bëri vjet, por tani çështja e ditës është Partizani. Të kuqtë e trajnerit italian Kolela e pësuan në “Elbasan Arenë” ndaj Erzenit, duke prishur kolonën e pastër që kishin 3-0-0, për fitore-barazime-humbje. “Prishëm edhe syrin e keq”, shkruajtën disa tifozë me ironi dhe hidhërim në rrjetet sociale, ndërsa publiku kryeqytetas iu vu “bat-bat” ekipit të tij. “Ulni kokën e punoni, boll u hapët sqetllash”, – ishte një koment. Nuk dihet nëse Kolela do të pësojë pas disa javësh apo muajsh fatin e italianëve të tjerë që ishin në stolin e Partizanit, si Agostineli, Iuliano, Lerda apo Sormani, dhe kjo nuk mund të thuhet pasi pësoi vetëm një humbje. Gjithsesi, ky kampionat po tregon se kur ekipet bëhen si “Pëlhura e Penelopës” nuk mund të ketë hierarki, e padyshim as cilësi.
Sfidanti.al