Është ende tepër i ri, por të ardhmen duket se e ka të sigurt. Medon Berisha është një tjetër futbollist me origjinë nga Kosova, që ka pasur lëkundjet për të zgjedhur ekipin përfaqësues, ndërsa përfundimisht vendosi për kuqezinjtë. Mesfushori sulmues 18-vjeçar, që luan për ekipin Shpresa të Leçes në Itali, e festoi zgjedhjen e tij përfundimtare duke shënuar gol ndaj Interit në kampionatin e moshave në Apenine. Berisha, që mban numrin 10 në shpinë, shënoi me penallti rrjetën e parë në fitoren e puljezëve me rezultatin 2-1. i lindur në Zvicër, ai luajti për Jang Bojsin, ndërsa në verën e vitit 2021 u bashkua me Leçen, duke luajtur 13 ndeshje në Serinë A të Shpresave sezonin e kaluar e duke shënuar 2 gola. Këtë edicion ka qenë 4 herë në fushë, pra e ka pasur të sigurt vendin në formacion, duke arritur të realizojë një herë. Sipas analistëve të futbollit në Itali, Berisha shpejt mund të luajë në ekipin e parë të Leçes në Serinë A, duke ecur pak a shumë në gjurmët e Kristjan Asllanit, që shkëlqeu tek Empoli e kaloi tek Interi. Trajneri i Shqipërisë U21, Alban Bushi, e ka ftuar 18-vjeçarin për ndeshjet miqësore ndaj Maqedonisë së Veriut në 23 shtator dhe Kroacisë në 25 të po këtij muaji.
Sfidanti.al