Flamurtari i bën nder rivalëve për titull, por Kukësi nuk bie!

Nuk është mundur as në Vlorë kryesuesja e kampionatit shqiptar, por megjithatë Flamurtari ia bëri dhuratën e tij, pretendentëve të tjerë për titull. Përfundoi 1-1 sfida mes vlonjatëve dhe Kukësit, dhe skuadra e trajnerit Ernest Gjoka u rikthye në vendin e parë të Superligës, baraz me Skënderbeun me pikë, por me golaverazh më të mirë.

Vendasit luajtën më mirë në pjesën e parë dhe e merituan avantazhin në pushim, pas golit të shënuar nga Danilo Alvesh. Sulmuesi brazilian realizoi me një gjuajtje nga jashtë zonës në minutën e 39-të. Në pjesën e dytë, Kukësi reagoi dhe arriti të barazonte rezultatin me anë të sulmuesit Guri. Gjithsesi, deri në fund pati edhe disa ngjarje të tjera. Fillimisht, miqtë mbetën me 10 lojtarë kur Lena mori karton të kuq në 67’ (dy të v erdha), ndërsa në 82’ numri i lojtarëve në fushë u barazua sërish sepse Jakovljeviç i Flamurtarit mori të kuq direkt.

Kukësi pati një rast të mirë me Pejiçin për të kaluar në avantazh, veçse vlonjatët iu afruan më shumë golit, me anë të Lealit (dy herë), dhe Danilo Avleshit, por pa arritur të shënonte golin e dytë. Pas javës së 24-ët, Kukësi ka 48 pikë, po aq sa Skënderbeu, ndërsa Partizani është pranë me 46, pas fitores në Laç.

Sfidanti.al