Ku është futbolli anglez që nuk dëshironte asnjë të huaj në tokën e tij? Shpikësit krenarë të futbollit, pasi mësuan gjithë botën për dekada me radhë, u kthyen në nxënës, të paktën të profesorëve më të mëdhenj të këtij “zanati”. Pas Guardiolës, Murinjos (rikthim), Klopit, Kontes, Poçetinos, pa harruar legjendarin Venger, ja ku vjen edhe një tjetër. Bëhet fjalë për Masimiliano Alegrin.
Arsenali ka arritur një akord me “Maksin” pikërisht për të zëvendësuar në fund të sezonit Arsen Vengerin, me shpresë rikthim tek sukseset dhe hapjen e një cikli të ri të madh dhe të gjatë. Natyrisht që nuk ka asnjë zyrtarizim, as nga klubi londinez, dhe as nga trajneri i Juventusit, por siç thotë populli “ku ka za, s’asht pa gja”. Gjithsesi, “Sandi Ekspres” (Sunday Express) shkruan se Alegri po pret vendimin e Vengerit, nëse do të largohet apo jo.
Nëse do të shkonte në “Emirejts”, italiani do të merrte me vete (nëse i jepnin leje), mesfushorin sulmues të Lacios, Sergej Milinkoviç-Saviç, të cilin e pëlqen shumë. Për fatin e Alegrit tek Juventusi, po ashtu ka pasur shumë zëra, aq më tepër me konfliktet e tij me disa prej lojtarëve kryesorë si Bonuçi, Lihtshtajner apo Manxhukiç.
Sfidanti.al