Montela ende nuk është i sigurt për Milanin e tij në Europë!

Fitorja 3-1 ndaj Kievos ishte e rëndësishme, veçse ajo ishte thjesht një fitore kampionati dhe asgjë më shumë. Edhe pse ky Milan ka nevojë për çdo moment pozitiv që të ngrejë moralin, sërish trajneri i tij, Vinçenco Montela, nuk ka dëshirë të entuziazmohet. Milani i tij që ka mundur më parë Juventusin, dhe i ka marrë Superkupën e Italisë, nuk mund të ketë eufori të madhe sepse mundi ekipin modest veronez.

“Është e vështirë të flitet për kualifikimin tonë për në Champions, – tha trajneri pas fitores, – do të na duhet të marrim pikë me mesatare për titull kampion që t’ia dalim”. Diferenca me vendin e tretë, me Napolin, është 4 pikë dhe kjo nuk është edhe aq pak kur kanë mbetur edhe 12 javë deri në përfundim të Serisë A. Gjithsesi, ekziston mundësia për të shkuar në Ligën e Europës, diçka jo për t’u hedhur plotësisht poshtë, pasi këtë sezon aty ishte Interi apo Mançester Junajtidi.

Karlos Baka, autor i dy golave thekson pikërisht se “kam ardhur pikërisht për të luajtur në Europë”. Montela, nga ana e tij, vlerëson kolumbianin. “Baka në këtë ndeshje iu afrua nivelit të atij lojtari që të gjithë njohim, – tha trajneri, – përveç golave, ai luajti shumë mirë edhe pjesën tjetër, duke krijuar raste dhe mund të shënonte përsëri”.

Europa e Milanit kalon nga Torino, pasi javën që vjen luan në fushën e Juventusit dhe Montela mjaftohet të thotë se “do të përgatitemi mirë për të bërë diçka të jashtëzakonshme”.

Sfidanti.al