Nga humbja me Romën dhe kritikat e shumta, tek fitorja e thellë dhe lavdet në Kaljari. Nga Lombardia në Sardenjë, “klima” ndryshon shumë, por Stefano Pioli thotë se mbetet i njëjti. Suksesi 5-1 në fushën e sardëve e mbajti Interin në vendin e pestë në Serinë A, ende 6 pikë larg zonës “Champions”, por ende me mundësi, kur ka edhe 33 pikë në lojë. Trajneri zikaltër e përmbledh gjendjen e tij në një fjali të vetme.
“Unë e di se në çfarë vendi ndodhem, e di se ku punoj, – tha ai, – e di se këtu nuk ka zgjidhje të mesme, ose ke sukses, ose dështon, dhe e di se e ardhmja do të ndërtohet vetëm në bazë të rezultateve. Veçse, unë nuk ia lejoj vetes që kjo të ndikojë tek puna ime, nuk do të ndikojë aspak fakti që jam nën provim gjatë gjithë kohës. Unë besoj se ne mund të shkojmë në Champions, edhe pse gjatë rrugës mund të ketë edhe humbje”.
Interi ia doli në Kaljari me golat e shënuar nga Perishiç, Banega, sërish Perishiç, Mauro Ikardi me penallti dhe Roberto Galjardini. i kotë shënimi i një rrjete nga Marko Borrielo. Milanezët kanë tani 51 pikë, sërish 1 më pak se Atalanta që është e katërta, por 6 më pak sesa Napoli që mban vendin e tretë, pozicioni i fundit në Serinë A që të kualifikon sezonin e ardhshëm për në Ligën e Kampionëve, edhe pse nëpërmjet plej ofit.
Sfidanti.al