Iku një njeri që vërtet e aktivizoi me “pikatore”, por që këmbënguli për ta mbajtur. Mediat angleze shkruajnë se Tomas Tuheli ishte njeriu që kishte besim të thellë e të patundur tek Armando Broja, por tashmë rrugët e tyre u ndanë. Trajneri gjerman u shkarkua pas humbjes 0-1 të Çelsit në Zagreb ndaj Dinamos për Championsin, dhe tabloidët në ishull shkruajnë se klubi londinez ka vendosur ta zëvendësojë me Graham Poterin, njeriun e stolit të Brajtonit. Poter është një trajner ambicioz, energjik dhe agresiv, falë të cilit Brajtoni ndodhet aktualisht në vendin e katërt në Premier Ligë duke pasur 13 pikë më shumë se Çelsi. Pronari i bluve, miliarderi amerikan Tod Boehli, ka arritur akordin me klubin tjetër dhe pritet që Poteri të jetë në stol me gjasë që këtë fundjavë ndaj Fulhamit.
Tashmë, pritet të shihet se cili do të jetë pozicioni i Brojës në skemat dhe në planet e teknikut të ri. Me Tuhelin, sulmuesi kuqezi nuk u aktivizua shumë, dhe pati hapësirë vetëm për pak minuta, por gjithsesi ai kishte premtimin e gjermanit se nuk do të braktisej në stol. Momenti duket vërtet delikat për Brojën, sepse jo rrallë ndryshimi i stolit i ka shkaktuar edhe fatkeqësi futbollistëve. Shpresa është që të mos ndodhë kështu me lojtarin e kombëtares shqiptare, dhe se ai do të llogaritet nga Graham Poteri tek Çelsi i tij.
Sfidanti.al