Halandi krahasohet me Diego Kostën, por e ka mendjen tek “thumbimi” i babait!

Tre golat i shënoi për 19 minuta, ndërsa ka bërë nisjen më të mirë të një sulmuesi në Premier Ligë që nga koha e Diego Kostës tek Çelsi në 2014. Gjashtë rrjeta në 4 ndeshje e tregojnë shumë se çfarë përfaqëson Erling Halandi, i cili përveçse di të luajë mirë futboll, di të bëjë mirë edhe humorin norvegjez. Ndërsa trajneri i tij, Pep Guardiola, po e lavdëronte për nuhatjen para portës dhe për sjelljen e tij të thjeshtë, vetë sulmuesi gjeti kohën të ngacmonte babain e tij, Alfi Halandin, i cili gjithashtu ka luajtur në Premier Ligë. Ish-mesfushori luajti 187 ndeshje për Notingemin, Lidsin dhe Mançester Sitin duke shënuar 18 gola, ndaj edhe Erlingu thotë se “babai im mund të thotë se ka shënuar më shumë sesa unë në Premier Ligë, ndaj duhet që ta arrij”!

Sfidanti.al