Manaj tremb kombëtaren, mos vallë mungon edhe ai si Gjimshiti?!

Nuk janë aspak kohë të mira për kuqezinjtë. Pak ditë më parë erdhi lajmi i keq se Berat Gjimshiti u dëmtua në Serinë A dhe se do të mungojë rreth 2 muaj, pra nuk do të luajë për kombëtaren në Ligën e Europës, por tani lista sikur është shtuar. Lëndim edhe për Rej Manajn në Angli, ndonëse ende nuk dihet shkalla e plotë e tij. Sulmuesi i ekipit përfaqësues doli nga fusha e lojës në ndeshjen që Uatfordi e humbi 2-3 në fushën e vet ndaj Kuins Park Rejnxhërsit. Manaj, që pati një mundësi për gol më herët, u dëmtua gjatë aksionit të golit të barazimit për vendasit, që në minutën e 31-të. Pritet që këtë të hënë të bëhet kontrolli mjekësor dhe të shihet sesa e rëndë është gjendja dhe sesa do të mungojë 26-vjeçari.

Futbollisti kuqezi po kalon një periudhë jo shumë të lehtë në kategorinë e dytë angleze, ku është kritikuar shumë nga tifozët se nuk po jep kontributin që pritej prej tij. Fatkeqësisht, dëmtimi erdhi vetëm pak ditë pasi ai shënoi golin e parë për Uatfordin dhe pati një rritje besimi në vetvete. Kombëtarja luan në 24 shtator në fushën e Izraelit, ndërsa në 27 të po atij muaji pret Islandën në “Arenën Air Albania”, por ekipi padyshim që ka probleme. Disa lojtarë nuk aktivizohen sa duhet, ndërsa një i tillë si Gjimshiti që është titullar i përhershëm për Atalantën, do të mungojë.

Sfidanti.al