Broja dëmtohet dhe trajneri Tuhel e paralajmëron se duhet të hedhë hapin e madh!

Pavarësisht entuziazmit, fatin nuk e ka plotësisht me vete. Armando Broja e realizoi ambicien e parë këtë verë duke qendruar tek Çelsi, por dëmtimet nuk po e lënë të qetë. Pas atij që pësoi në fazën përgatitore në SHBA, sulmuesi i kombëtares shqiptare provoi edhe një tjetër. Futbollisti 20-vjeçar nuk mundi të stërvitej me shokët dhe trajneri Tomas Tuhel sqaroi situatën në prag të ndeshjes së kësaj jave në Premier Ligë, por edhe bën një analizë të situatës së shqiptarit në ekip.

“Lajme të këqija, – tha Tuheli, – Ngolo Kante do të mungojë për disa javë. Armando do të mungojë vetëm disa ditë, por nuk mund të luajë këtë të diel në Lids. Dëmtim ka edhe Kovaçiç. Më vjen keq për Brojën. Ne i njohim cilësitë e tij, ndonëse është tjetër gjë të kesh potencial dhe tjetër gjë të luash në një ekip si Çelsi. Ai është duke kryer hapin e radhës në karrierë, por ai u dëmtua në fazën përgatitore. Tani u dëmtua përsëri dhe kjo padyshim që e pengon dhe gjithashtu nuk na lejon neve që të krijojmë një ide plotësisht të qartë për të. Gjithsesi, duke pasur parasysh gjendjen e ekipit, mendoj se Armando ka një rast të madh që të jetë i rëndësishëm për Çelsin. Ai është i vendosur që t’ia dalë dhe ka mbështetjen tonë të plotë”.

Dëmtimi i Brojës pra është relativisht i lehtë dhe për momentin i prish punë vetëm për në ekipin e tij në Londër, ndërsa pritet të jetë gati për ndeshjet e kombëtares. Kjo sepse, ekipi përfaqësues do të luajë pas më shumë se një muaji, në 24 shtator në fushën e Izraelit, e pastaj në 27 shtator ndaj Islandës në “Arenën Air Albania”, në dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve. Përsa i përket Çelsit, Broja është i vendosur që të përsërisë atë që bëri vjet në Premier Ligë dhe në futbollin anglez në përgjithësi me Sauthemptonin, ku shënoi gjithsej 9 gola.

Sfidanti.al