Luiza Gega në finalen e Botërorit, vajza “e artë” nderon sërish Shqipërinë!

Një paraqitje mbresëlënëse e mbyllur me sukses. Luiza Gega, atletja më e mirë shqiptare, realizoi të paktën objektivin e saj minimal duke u kualifikuar për në finalen e garës së 3 000 metrave me pengesa në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Oregon të SHBA-së. Kampionia e Mesdheut bëri një paraqitje të panjollë duke zënë vendin e tretë në gjysmëfinalen e dytë, e lënë prapa vetëm nga Alisë Fino e Francës dhe Mekides Abebe e Etiopisë. Vetëm për 5 të qindat, Luiza mposhti amerikanen Kërtni Uejment, duke siguruar kualifikimin automatik për në finale. Koha e saj ishte 9’14”91, vetëm 62 të qindat larg rekordit kombëtar që e mban po vetë, dhe që e vendosi në finalen e Lojrave Mesdhetare pak ditë më parë.

Kjo është koha e dytë më e mirë në këtë disiplinë për Shqipërinë për të gjitha kohët, ndërsa Gega e arriti finalen e Botërorit për herë të dytë radhazi, pasi ia doli në Bahrein në 2019. Finalja do të jetë duke u gdhirë mëngjesi i së enjtes në Shqipëri, në orën 04:45, pasi e tillë është diferenca kohore me Shtetet e Bashkuara dhe sidomos me Oregonin. Gega do të synojë të paktën vendin e gjashtë në botë, një objektiv shumë ambicioz, për të cilin duhet të tejkalojë vetveten. Ky vit ka qenë shumë i mirë për 33-vjeçaren. Ajo theu dy herë rekordin kombëtar, fitoi në Holandë, dhe u konfirmua si kampione e Mesdheut në Oran të Algjerisë.

Sfidanti.al