Për fat të keq është e prapambetur. Luiza Gega mund të ketë rezultatin më të mirë në Europë për këtë vit në garën e saj të preferuar, por ajo shkon në Kampionatin Botëror të atletikës me shumë vonesë. Pas disa rezultateve të shkëlqyera në Holandë dhe në Lojrat Mesdhetare në Oran të Algjerisë, atletja më e mirë shqiptare do të synojë suksesin në Botërorin që mbahet në Oregon të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në garën e saj të preferuar të 3 000 metrave me pengesa. Gjithsesi, mungesa e fondeve bëri që ajo dhe trajneri i saj, Taulant Stërmasi të niseshin mjaft vonë për të kaluar Atlantikun, vetëm në 12 korrik, pra dy ditë më parë. Gega e ka garën e saj pasnesër, dhe do ta ketë të pamundur të përshtatet siç duhet me klimën, por sidomos me ndryshimin orar, pasi diferenca është 7 orë me kohën e Europës.
Gjithsesi, pretendimet mbeten, siç ajo tha pak ditë më parë, duke synuar vendin e 6-të në rruzull. Një pjesë e madhe e atletëve kanë shkuar në Amerikë shumë ditë më parë duke realizuar procesin e aklimatizimit, që do t’i ndihmojë për të dhënë rezultate më të mira. Kampionati do të zhvillohet në Universitetin e Oregonit, në stadiumin “Hejuord Fild” në Juxhin, që cilësohet si më i miri impiant i atletikës në Shtetet e Bashkuara, dhe padyshim njëri nga më të mirët në botë. Turneu nis nesër dhe përfundon në 24 korrik, dhe në të marrin pjesë 1972 atletë nga 192 shtete të rruzullit. Shqipëria merr pjesë vetëm me një individ, pikërisht me Luiza Gegën.
Sfidanti.al