Ekipi që fiton nuk ndryshohet. Kjo është aksioma e futbollit dhe kështu do të veprojë edhe trajneri i Partizanit, Dritan Mehmeti, për ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës. Skuadra shqiptare cilësohet favorite për kualifikimin në raundin e dytë eliminator ndaj Saburtalos, pas fitores 1-0 në Gjeorgji, dhe në formacion nuk pritet të ketë ndryshime. Në portë do të jetë Teqja, me Alban Hoxhën jashtë liste, ndërsa sulmi do të jetë i përbërë nga Skuka e Cara në skemën 4-3-1-2. Në ekip nuk është sërish Romero, i paregjistruar për këtë raund, Cvetanovski është i dëmtuar, ndërsa Telushi pritet ta nisë sërish nga stoli. Të kuqtë u stërvitën dje në “Arenën Air Albania”, ku luhet ndeshja sot në orën 20:00, ndërsa Mehmeti pati një këshillë për të vetët, që të harronin fitoren e ndeshjes së shkuar. Skuadra tjetër shqiptare që luan sonte në Ligën e Konferencës është Laçi, që del në fushë në orën 21:00 në Mal të Zi ndaj Iskrës së Danilovgradit. Sfida e parë në “Elbasan Arenë” përfundoi pa gola.
Formacioni i mundshëm i Partizanit (4-3-1-2)
Teqja – Hadroj Bitri Belica Atanaskoski – Rrapaj Matondo Murataj – Hoti – Skuka Cara.