Sa lehtë dyshohet për trajnerin tek Tirana, mjafton një eliminim në Champions!

Aventura vazhdon, edhe pse dy shkallë më poshtë. Tirana është ende në kupat e Europës, tashmë në Ligën e Konferencës pas eliminit nga Championsi, ndërsa besohet se është në dyshim fati i trajnerit Orges Shehi. Klubi është i dyzuar nëse duhet të vazhdojë me teknikun aktual, apo të zgjedhë një emër me më shumë përvojë në profesion, dhe madje thuhet se ka pasur lëvizje. Burime të informuara bëjnë me dijë se është përmendur emri i Ernest Gjokës si njeriu i ardhshëm për stolin, ndonëse gjithçka do të varet nga ecuria në kontinent. Kampionët e Shqipërisë do të luajnë në raundin e dytë eliminator të Ligës së Konferencës ndaj Zrinjskit të Mostarit, me ndeshjen e parë në 21 korrik në Shqipëri, dhe të dytën në Bosnjë-Hercegovinë në 28 të po këtij muaji. Në rast kualifikimi, mund të thuhet se objektivi minimal të paktën do të quhej i arritur, edhe pse pretendimet ishin për të synuar fazën e grupeve. Burimet e mësipërme theksojnë se Tirana pati dyshime për eksperiencën e Shehit në Europë që përpara sesa të nisnin ndeshjet në Champions, por vendosi të mos bënte asnjë ndryshim. Atmosfera mund të thuhet se ka ndryshuar pas daljes jashtë kompeticionit kryesor kontinental të klubeve, aq më tepër pas dy humbjeve 0-1 e 1-2 ndaj Dudelanzhit të Luksemburgut.

Sfidanti.al