Marota, edhe e zyrtarizon, edhe nuk e zyrtarizon Lukakun tek Interi

Administratori i deleguar i klubit së pari theksoi faktin se sulmuesi belg ishte në nivel shumë të lartë në 2 sezone me radhë për zikaltërit. Kjo ishte garancia më e madhe që e shtyu Interin të investonte për ta kthyer sërish në “San Siro” Romelu Lukakun. “Ai ka qenë shumë i mirë me ne, – tha Bepe Marota, – ai kishte dëshirë që të kthehej, dhe Çelsi kuptoi se kjo ishte gjëja më e mirë për të dyja palët. Unë nuk mundem që ta zyrtarizoj ende pasi nuk ka përfunduar, por ne po punojmë që kjo të ndodhë jo për disa orë, por për pak ditë. Këto ditë ai do të bëjë edhe vizitën mjekësore”. Lukaku shkoi tek Çelsi për 115 milionë euro verën e kaluar, ndërsa tani Interi paguan 10 milionë euro për huazimin 1-vjeçar, dhe sulmuesi uli pretendimet për rrogën nga 15 në 8 milion ë euro në sezon.

Sfidanti.al