Reali synon ta zbrazë “marazin” për Mbapenë me 150-milionëshin Haland!

Ky dështim duhet harruar sa shpejt. Nuk pati moment më të rëndë për tifozët e Realit të Madridit dhe presidentin Florentino Perez, sesa ai i rinovimit të Kilian Mbapesë me Paris SG, veçse në Spanjë po përgatisin një përgjigje. Një emër i madh duhet me patjetër të zëvendësojë kampionin e botës që nuk pranoi të vinte në “Bernabeu” dhe ky pritet të jetë Erling Halandi. Sulmuesi gjigand norvegjez është përshëndetur tashmë me Borusian e Dortmundit, duke vendosur të vazhdonte karrierën nga Bundesliga gjermane në Premier Ligën angleze. Halandi ka firmosur me Mançester Sitin një kontratë me rrogë mbi 600 000 paundë stërlina në javë, por kjo nuk e ka dekurajuar aspak Realin. Mediat njoftojnë se Perezi do të përgatisë ofertën në verën e 2024-it, pra pas dy vjetësh, kur të hyjë në fuqi klauzola prej 150 milionë eurosh për transferimin e sulmuesit 21-vjeçar.

Halandi cilësohet si sulmuesi i dytë më i mirë në botë pikërisht pas Mbapesë, ndonëse shifrat e tij për momentin janë edhe më të mira sesa ato të francezit. Vetëm me Dortmundin ai ka shënuar 86 gola në 89 ndeshje, një mesatare më e lartë edhe sesa ajo e legjendave Mesi e Ronaldo në moshën e tij. Reali beson se në 2023 do të duhet të gjejë një pasardhës për Karim Benzemanë i cili sot është 33 vjeç dhe që mbetet sulmuesi më i mirë i ekipit, si dhe favorit për të fituar Topin e Artë. Edhe Halandi besohet se do të pëlqente të kalonte në një ekip ku mund ta fitojë më lehtë Championsin.

Sfidanti.al