Gjatë sezonit paqartësia ishte në ajër, por gjithsesi shpresa mbetej e madhe. Reali ishte i bindur se Kilian Mbape më në fund do të kalonte në “Santiago Bernabeu” pasi të përfundonte kontratën me Paris SG, ndërsa e kishte lënë disa herë të qartë se e ardhmja e tij ishte në Madrid. Gjithsesi, ndodhi ndryshe, dhe kampioni i botës vendosi të rinovonte me PSG-në. Zhgënjimi i tifozëve të Realit ishte pakufi, ashtu siç ishte lumturia e publikut parizien, ndërsa presidenti madrilen, Florentino Perez, nuk deshi të fliste. Më në fund, Perezi reagoi në një intervistë për një emision sportiv televiziv në Spanjë.
“Ky nuk është Mbapeja që unë doja që të merrja, – tha numri 1 madrilen, – natyrisht, njeriu mund të ndryshojë gjatë jetës. Tashmë, kemi të bëjmë me një Mbape që refuzon kontratat e sponsorizimit me kombëtaren e tij. Këtë lojtar unë nuk e dua. Gjithsesi, mendoj se ia kanë prishur mendjen, e kanë gabuar. Ai është shumë i ri. Unë i dua më të mirën, dhe nuk kam asgjë kundër tij, por unë mendoja se Reali ishte ëndrra e tij”.
E vërteta është që Mbapeja nuk pati një sezon shumë të suksesshëm me Paris SG, pavarësisht rinovimit. Ai shënoi gola në Champions, por PSG u eliminua pikërisht nga Reali që në raundin e dytë, ku shkëlqeu francezi tjetër, Karim Benzema. Nëse 23-vjeçari arriti ta fitonte titullin kampion në Francë, kjo ishte shumë pak për ambiciet e klubit dhe të tijat personale. Në të kundërt, Reali fitoi jo vetëm La Ligën në Spanjë, por edhe Championsin pas suksesit 1-0 në finalen e Parisit ndaj Liverpulit.
Sfidanti.al