Një shkërmoqje e pacipë e Kombëtares, si inagurim për ..kazinon!

Një ditë më parë kishim botuar një shkrim me titullin: Dy gjëra s’kanë fund: universi dhe përrallat kuqezi! Kjo që ndodhi me Izraelin në Tiranë, ishte “qershia mbi tortë” përsa i përket serialit zhgënjyes të “heronjve” të Kombëtares. Me pak sinqeritet, duhet të pranojmë se fajtorët nuk janë vetëm në njërin krah,pra, trajneri Edi Reja, presidenti Duka, që komandon me sukses këtë serial krize kuqezi apo futbollistët , por merita speciale shkon edhe për specialistë dhe gazetarë që u shfaqën me kalem në dorë nëpër studio, duke na shpallur fitues të grupit me 8 apo 9 pikë!

Kjo që ndodhi me Izraelin ishte si një funeral, që nisi dhe nuk mbaroi dot në Islandë, një shkërmoqje e pazakonte në pjesën e dytë, tamam tamam një arratisje kolektive nga parimet e lojës së një ekipi Kombëtar. Sa ironik duket fakti kur i dëgjon dhe i shikon futbollistet dhe stafin e ekipit gjatë himnit kur këndojnë se ..kush nga lufta largohet, s’ëshët gjë tjetër veçse tradhëtar!

Po kjo “luftë” nuk ishte e gjitha e humbur sepse pati edhe një “fitore”, me inagurimin e djeshëm të së famshmes “Kazino Arena”. Mu brënda ne stadium, një rekord tjetër i këtij “xhevairi”,siç thonë shefat na e ka zili edhe bota, kur fusha e lojës dhe kazinoja kapen duke u puthur pranë e pranë..

Tani sipas modës tonë të vjetër, o burra të fillojmë ritualin klasik, i gjithë faji për këtë ç‘organizim të mirëorganizuar, do të shkojë si me komandë në adresë të trajnerit Reja, që si të tjerët para tij e “tradhëtoi” besimin e presidentit Duka. I moçmi Reja e mbushi aq shumë kupën sa edhe vetë politika që e solli si dhuratë të paketuar…do ta pranojë dështimin. Dhe çfarë dështimi spektakolar! Një ekip të mbushur me 7 apo 8 futbollistë të Serisë A, të Premier Ligës, të La Ligës dhe të Ligave të tjera të Europës, ke frikë ta shohësh kur shfaqet në fushë….

Sfidanti.al