Tifozët e Atletikos ia dhanë përgjigjen Kurtuasë për “anën e duhur të historisë”!

Shumë herë futbollistët profesionistë rrëmbëhen nga momenti, apo nga presioni i madh i tifozëve të ekipit ku luajnë, dhe ndërsa duan të tregohen sa më të mirë me ta, shkelin mbi të kaluarën e tyre. Këtë bëri edhe portieri i Realit të Madridit, Tibo Kurtua, që deklaroi pas finales së fituar në Champions ndaj Liverpulit se “këtë herë isha në anën e duhur të historisë”. Me të drejtë, tifozët e Atletikos e cilësuan këtë fjali si një ofendim për ekipin e tyre, pasi në 2014 Kurtua ishte pjesë e Atletikos që humbi finalen e Championsit pas kohës shtesë pikërisht ndaj Realit. Reagimi ishte dëmtimi i pllakës në nderim të Kurtuasë në stadiumin “Uanda Metropolitano”, ndërsa portieri e vazhdoi polemikën duke hedhur në Tuiter një foto të tij me Championsin që fitoi me Realin. Gjithsesi, duhet të themi se megjithë respektin për belgun, tifozët e Atletikos këtë herë kanë të drejtë.

Sfidanti.al