Roma fiton trofeun e Ligës së Konferencës, në finalen e parë në Tiranë!

Mjaftoi një gol “i vogël”, edhe pse shumë i bukur i Nikolo Zaniolos në 32’, që skuadra italiane të arrinte një sukses të madh. Zhoze Murinjo fitoi trofeun e tij të pestë kontinental dhe të 26-in në karrierë, ndërsa Roma triumfoi në finalen e Ligës së Konferencës me rezultatin 1-0 ndaj Fejënordit. Ishte edicioni i parë i këtij konkurrimi dhe finalja e parë në histori që luhej në “Arenën Air Albania” të Tiranës. Në të vërtetë, ndeshja nuk ishte aq e bukur sa duhej, dhe sesa meritonin dhjetëra mijë tifozë që kishin mbërritur në kryeqytetin shqiptar, por për tifozët romanistë kjo nuk ka asnjë rëndësi.

Roma fitoi titullin e parë europian që nga viti 1961, kur shumica e tifozëve as nuk kishin lindur, ose ishin fare të vegjël, ndërsa një pjesë nuk kishin lindur as në 1991 kur u luajt finalja e fundit, ajo e Kupës UEFA humbur ndaj Interit. Marash Kumbulla, mbrojtësi i kombëtares shqiptare, ishte një lojtar stoli i paaktivizuar nga Murinjo, por gjithsesi e fitoi edhe ai trofeun, duke u bërë i dyti shqiptar që ia del me Romën, pas Naim Kryeziut që doli kampion në 1942. Fejënordi luftoi shumë pas pushimit, duke goditur dy herë shtyllat e portës kundërshtare, por pa mundur të barazonte.

Roma-Fejënord 1-0 (Zaniolo 32’)

Roma: Rui Patrisio, Smolling, Ibanjez, Mançini, Kristante, Karsdorop (Vinja 89’), Mkitarian (Oliveira 17’), Pelegrini, Zalevski (Spinacola 67’), Zaniolo (Veretut 67’), Abraham (Shomurodov 89’).

Fejënordi: Biljov, Gertuida, Trauner (Pedersen 74’), Senesi, Malasia (Jahanbaksh 89’), Orsnes, Kokçu (Valemark 88’), Nelson (Linsen 74’), Til (Tornstra 59’), Sinisterra, Desers.

Sfidanti.al