Rroftë UEFA! Trukuam jetën e kryeqytetit për finalen e “jetës”!

Nuk dihet sa është i saktë numri i atyre policëve të gjorë, që u dhunuan nga vala e shfrenuar e tifozëve romanë dhe holandezë, por një gjë dihet me siguri…që na rrahën për hiçmosgjë. Tamam si tek filmi, madje dhe urinuan në rrugët e kryeqytetit, të cilin ia falëm atyre për 2-3 ditë…dhe ikën si fitimtarë!
Policët tanë, si të kishin patur trajner Murinjon, luajtën të gjithë në mbrotje ndaj dhunuesve të huaj, pasi i kishin urdhëruar se kjo do të ishte “mikpritja” shqiptare. Të huajt na godasin dhe ne bëmë gati spitalet dhe shtretërit , duke u krekosur se ia vlejti druri barra qeranë,se jo vetëm që bëmë prokopi, por edhe organizmi kishte “klas” , tamam si stadiumi, po shpallet me mburrje si.. ndër më të bukurit në Europë.
Sa me fat të jesh holandez apo roman dhe finalen e “dhunës”, atë që kishin lënë në mes 5 vite më parë Romë, ta vazhdonin në Tiranë, dhe viktima të ishim ne! Ne që do të pasuroheshim brenda natës me çmimet e harbuara,na rrahën mu në mes të shtëpisë. Ne që do të fitonim 100 milionë euro nga kjo finale, por askush nga “nastradinët ekonomikë” nuk na flet për humbjet. Sa kushtoi një ditë paralize në kryeqytet, pa punë, pa makina, pa fëmijë që shkonin në kopësht ose shkolla, me lokale te thyera dhe pa lokale rreth e përqark stadiumit, vetëm e vetëm që UEFA ta kuptonte se me të vërtetë jemi akoma të dënuar si trukues ndeshjesh, por bëjmë edhe sakrifica sublime..trukojmë jetën e kryeqytetit për një ndeshje futbolli…

Sfidanti.al