Euroliga: Anadolu Efes mbron titullin, Reali nuk ia del!

Festë e madhe në Turqi dhe sidomos në Stamboll. Sporti turk arriti një tjetër sukses të madh duke fituar për të dytin vit me radhë Euroligën, që do të thotë Championsin e basketbollit për meshkuj. Në një finale tepër të fortë, dhe thuajse të humbur përballë Realit të Madridit, Anadolu Efes ia doli të fitonte në një ndeshje tipike  europiane, 58-57. Një përballje nervash dhe taktike ku mbrojtjet dolën më të forta sesa sulmi, ndryshe nga çfarë ndodh në NBA. Lojtari më i mirë i finaleve të kaluara (dhe i këtyre finaleve), Vasilije Miçiç, ishte vendimtar me 23 pikë duke shkëlqyer në “Shtark Arenën” e Beogradit, pra në kryeqytetin e vendit të tij, Serbisë.

Miçiç ishte i papërmbajtshëm edhe në gjysmëfinalen ndaj Olimpiakosit të Pireut. Bashkë me lojtarin serb ishte edhe qendra gjermane, Tibor Pleis me 19 pikë dhe 7 topa në tabela, ndërsa madrilenët e trajnerit Laso nuk arritën ta ndalonin shtatlartin 2.21 metra. Reali ishte shumë dobët nga 3 pikë duke realizuar vetëm 6 gjuajtje nga 33!!! Spanjollët patën mungesa dhe kjo ndikoi dhe vetëm Tavarez (14 pikë) ishte në lartësinë e detyrës e deri diku Jul (9). Madrilenët nuk e fituan dot trofeun e 11-të kontinental, ndërsa Anadolu Efes mori të dytin në prani të 15 000 spektatorëve.

Sfidanti.al