Policia u kujton burgun italianëve dhe holandezëve, por përse pati dhunë në derbi?!

Do të jenë ditë sulmi. Me rreth 90 000 tifozë në Shqipëri për finalen mes Romës e Fejënordit në Ligën e Konferencës, Policisë së Shtetit i hapet një punë pak e zakonshme, ndërsa uniformat blu bëjnë një paralajmërim. Për ultrasit që do të ushtrojnë dhunë në aktivitetin e 25 majit parashikohen dënime të ashpra. Zv. drejtori i përgjithshëm i policisë, Albert Dervishaj, u kujton tifozëve shqiptarë, italianë dhe holandezë e legjislacioni shqiptar parashikon edhe burg për veprime të rënda në stadium. Gjithsesi, policia shqiptare nuk është në gjendje të shpjegojë sesi megjithë ashpërsimin e legjislacionit, vetëm në derbin e kryeqytetit kanë ndodhur episode dhune, qoftë në Tiranë apo edhe në Elbasan. E përse të mos mendojmë se kështu do të ndodhë edhe në 25 maj? Për sigurimin e rendit në 24 e 25 maj, do të angazhohen 1500 forca policie si dhe 650 roje private në “Arenën Air Albania”. Policia informon se tifozët e Romës dhe Fejënordit do të mbërrijnë me avionë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” në Rinas, por edhe nga aeroportet e Podgoricës e Prishtinës, e do të udhëtojnë me autobusë drejt Tiranës. Mjaft italianë, priten me traget në Durrës, ndërsa do të vendosen në hotele në Durrës, Tiranë apo Elbasan. Tifozët holandezë që nuk do të jenë në stadium, do ta ndjekin finalen në Pedonalen e kryeqytetit, ndërsa tifozët italianë do të jenë tek Amfiteatri në Liqenin Artificial. Do të ketë tifozë edhe në sheshet ku do të jenë ekranë të mëdhenj, ndërsa shkuarja e përkrahësve në stadium do të bëhet në rrugë të veçanta dhe të përcaktuara qartë.

Sfidanti.al