Shpejt pas duelit në “Foro Italiko” do të vijë sfida e madhe në “Rolan Garos” dhe numri 1 i botës është i lumtur që tashmë është vetvetja. Novak Gjokoviç fitoi titullin e parë për vitin 2022, duke triumfuar ndaj grekut Stefan Cicipias në Turneun e Hapur të Romës, e duke arritur 1 001 fitore si profesionist. Nole ia doli 2-0 me sete, me rezultatin 6-0, 7-6, duke forcuar pozitat në vendin e parë të renditjes botërore të meshkujve, e duke treguar se është në formën e duhur për në Grand Slemin e Parisit. Kjo ishte fitorja e tij e 6-të në kryeqytetin italian në 12 finale, ndërsa rekordin e mban Rafael Nadal me 10. Tenisti serb ka 87 turne të fituar në karrierë dhe 38 Masters duke lënë pas Nadalin me 36. “Ky vit ishte i vështirë dhe i veçantë për mua, – tha Gjokoviçi, – pas asaj që ndodhi në Australi m’u desh kohë për të marrë veten, por tani jam kthyer. Sot, djali im 7-vjeçar, Stefani, luajti ndeshjen e tij të parë si tenist. Shpresoj që të ketë fituar, këtë sukses ia dedikoj atij”.
Sfidanti.al