E tha përpara ndeshjes, sikur ta kishte parandjerë. Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, parashikoi se nëse nuk do të kishte fat, ekipi i tij nuk do ta kishte fituar Kupën e Anglisë. Për të dytën finale radhazi, destini ishte me të kuqtë, që ia dolën në stadiumin legjendar “Uembli” vetëm pas gjuajtjes së penalltive, ndaj të njëjtit kundërshtar, Çelsit të Tomas Tuhelit. Kjo do të thotë trofeu i dytë këtë sezon, pas Kupës së Ligës, Karabao, ndërsa vazhdon ëndrra për të fituar katër tituj. Pavarësisht fatit tek penalltitë, sërish ekipi i Klopit e meritoi. Tekniku gjerman u bë i pari në Angli që fiton çdo trofe të mundshëm, Premier Ligën, Championsin, Kupën e Ligës, Kupën e Anglisë, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet.
“Ishte e vështirë dhe vlen sa e gjithë bota, – tha Klopi, – 25 minutat e para ishin më të mirat që ne kemi luajtur ndonjëherë ndaj Çelsit. Një finale shumë emocionuese. Kundërshtari e kishte cilësinë për të reaguar dhe e bëri. Të dyja skuadrat patën raste të pastra. Në fund, jemi të lumtur dhe duhet të shijojmë momentin. Kemi ende sfida të mëdha për të luajtur, por le të kënaqemi me këtë trofe”. Tomas Tuhel i Çelsit, edhe ai trajner gjerman, ishte edhe i zhgënjyer, por edhe krenar. “Jam krenar për ekipin tim, ashtu siç isha para ndeshjes, -tha tekniku i bluve, – jam shumë i lumtur që drejtot këta lojtarë. Ne dhamë gjithçka në fushë përballë një rivali shumë të fortë. Nuk lamë asgjë mangut, por jemi të zhgënjyer që nuk ia dolëm. Ne e meritonim, po aq sa e meritonte edhe Liverpuli”. Liverpuli vazhdon garën për Championsin dhe Premier Ligën, por situata me dëmtimet është e rëndë. Përveç Fabinjos, të lënduar që më parë, nga loja dolën edhe Mohamed Salah, Van Dajk dhe shqetësime ndjeu edhe Robertsoni.