Salah, Van Dajk, Robertson, Fabinjo me probleme, si do të luajë Liverpuli kundër ekipit të Brojës?!

Për sulmuesin egjiptian ende nuk mund të thuhet me saktësi sesa mund të mungojë, por dalja e tij që në minutën e 33-të të finales së Kupës nuk ishte sinjal i mirë. Aspak! Mo Salah duhet të luftojë me kohën për të qenë gati për finalen e madhe të Championsit në 28 maj ndaj Realit në Paris. Pasi u dëmtua në finalen e Championsit në 2018, ai nuk do të donte në asnjë mënyrë që të mungonte. Gjithsesi, trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ka edhe shqetësime të tjera. Në kohën shtesë ndaj Çelsit doli nga fusha edhe Van Dajk që tha më pas se “ndjenja një therje tek gjuri dhe nuk doja të rrezikoja”. Duhet parë nëse ka ndonjë dëmtim që mund ta pengojë apo diçka që kalon shpejt, ndërsa kjo ishte hera e parë që Van Dajku zëvendësohet këtë sezon. Edhe Andi Robertson u largua nga fusha për shkak të ngërçeve, duke e treguar qartë lodhjen e madhe të këtij sezoni. Nuk duhet harruar se edhe Fabinjo është i dëmtuar, dhe ai nuk luajti në finale, ndërsa shpresohet të jetë gati për Championsin. Nuk dihet se me çfarë formacioni do të luajë Liverpuli të martën në Premier Ligë në fushën e Sauthemptonit.

Sfidanti.al