Boks, rusi Bivol mund legjendën Kanelo Alvaraz në Ndeshjen e Vitit!

Me të drejtë u cilësua si Ndeshja e vitit. Pas përfundimit mund të quhet edhe e papritura e vitit, pasi legjenda meksikane e ringut, Kanelo Alvarez, u mposht nga boksieri rus, Dmitri Bivol. Alvarezi ishte favorit, sepse vlerësohej gjerësisht si më i miri në botë në këtë sport, për të gjitha peshat, por suksesi i rivalit në Las Vegas ishte krejtësisht i merituar. i lindur në Kirgizstan, me baba rus dhe nënë koreane, Bivol i ngjiti më ngadalë sesa Kaneloja shkallët drejt lavdisë, edhe pse ishte kampion në fuqi i botës në peshat më të lehta të kategorisë së rëndë profesioniste, deri në 79 kg. Të dy luftërarët dhanë maksimumin në ring, duke qenë në moshë të njëjtë, nga 31 vjeç, edhe pse rusi ishte 9 centimetra më i gjatë. Kjo e ndihmoi ta mbante larg Alvarezin, ndonëse spikati sidomos klasi i tij më i lartë, në kombinime, në shpejtësi goditjene dhe ritmin e lëvizjes me këmbët.

Për Kanelon kjo ishte humbja e dytë në karrierë, pas asaj të vetmes që kishte pësuar nga legjendari Flojd Mejuedhër, ndërsa ka 57 fitore e dy barazime. Meksikani është krejt i veçantë pasi ka dalë kampion bote në 4 kategori peshash. Bivol ka më pak duele, 20, por nuk ka asnjë humbje. “Së pari dua të falenderoj këdo që erdhi sonte për të ndjekur ndeshjen, – tha ai pas ndeshjes, – gëzuar festën për tifozët meksikanë. Jam i lumtur. E provova sot se jam më i miri dhe këta breza të artë më takojnë mua. Më vjen keq që prisha një përballje të mundshme të Kanelos me Genadi Golovkinin. Falenderoj Kanelon dhe njerëzit e tij. Ai është një kampion i madh. E respektoj pa masë”. Pritet të shihet nëse do të ketë një revansh, ndërsa Dmitri Jureviç Bivol shihet si ylli i madh i boksit profesionist, po ashtu si britaniku Tajson Fjuri.

Sfidanti.al