Duan që ta bëjnë ata udhëtimin drejt Tiranës. Futbollistët e Romës, mes të cilëve edhe Marash Kumbulla, si dhe trajneri Zhoze Murinjo e ndjejnë se janë shumë pranë finales së Ligës së Konferencës në kryeqytetin e Shqipërisë, por për t’ia dalë duhet të hedhin hapin e fundit. Sonte në orën 21:00 do të luajnë gjysmëfinalen e dytë, atë vendimtare, ndaj Leisterit anglez në stadiumin e tyre, “Olimpiko”. Barazimi 1-1 në sfidën e parë jep shpresë. Mungesë e madhe është ajo e sulmuesit Mkitarian, ndërsa Kumbulla pritet ta nisë sërish nga stoli pasi luajti në Serinë A. Në ekip janë kthyer Kristante, Zaniolo si dhe Spinacola.
“Duam të shkojmë në finale, – thotë Murinjo, – nuk ka asnjë llogari tjetër për të bërë. Liga e Konferencës është trofeu që duam, është kompeticioni ynë. Kemi luajtur 14 ndeshje në Europë, luftojmë në Serinë A për në Ligën e Europës. Shpresoj që lojtarët e mi entuziazmohen nga publiku dhe të luajnë një ndeshje të madhe”.
Leisteri nuk mori dot rezultatin që deshi në sfidën e parë, edhe pse goli i barazimit i jep ndihmë. Trajneri Brendan Roxhers nuk do të ketë Ndidin dhe Bertrandin, ndërsa Medison është në dyshim. “Ne do të tregojmë të njëjtin karakter që na ka ndihmuar të arrijmë deri këtu, – tha anglezi, – besoj se e kemi fituar përvojën për ndeshje të tilla ndaj Renës apo PSV-së. Besoj se do ta përballojmë atmosferën e tifozëve të Romës. Jemi të uritur dhe duam që të shkojmë në finale”. Në gjysmëfinalen tjetër, gjithashtu në orën 21:00, Marseja pret Fejënordin, ndërsa holandezët kanë fituar 3-2 ndeshjen e parë.
Sfidanti.al