Hesapet kishin nisur për t’i larë që në muajin mars. Tifozët e Uest Hemit dhe ata të Ajntrahtit të Frankfurtit u përleshën që 55 ditë më parë, madje në Sevilje të Spanjës kur nuk kishin asnjë punë me njëri-tjetrin, e si mund të ndodhte ndryshe tani që dy ekipet e tyre të zemrës janë përballë. Dy tifozë të Uest Hemit u gjakosën dhe u bënë për spital pasi një grup ultrasish të Ajntrahtit i sulmuan në një bar të Frankfurtit, në prag të gjysmëfinales së dytë të Ligës së Europës. Anglezët ishin duke pirë birra në një lokal në qytetin e madh gjerman, kur sipas njoftimeve mediatike aty mbërritë dy furgonë të mbushur me tifozë të skajshëm të Frankfurtit, të cilët ishin të maskuar për të mos u njohur.
Ngjarja u cilësua se ndodhi si “një rrufe në qiell të pastër”, ndërsa edhe disa prej tifozëve anglezë iu përgjigjën sulmit. Autoritetet gjermane kanë shqetësim të madh për vazhdim të dhunës para, gjatë dhe pas ndeshjes së sotme në orën 21:00, që do të përcaktojë njërin finalist të Ligës së Europës. Mijëra tifozë të Uest Hemit kanë mbërritur në Frankfurt për të ndjekur ekipin e tyre. Ndeshja e parë në Londër u fitua me rezultatin 2-1 nga skuadra gjermane, ndërsa dy skuadrat janë ndeshur mes tyre edhe në vitet 70-të dhe është kualifikuar Uest Hemi.
Sfidanti.al