Nuk po pyet njeri për shpenzimet, që vetëm në stadium mund të arrijnë në 400 000 euro. Po ashtu, as për lodhjen e punës natë e ditë për të qenë gati në 25 maj për finalen e Ligës së Konferencës. Problemi kryesor i sfidës në “Arenën Air Albania” nuk do të jetë përmbushja e detyrave të shtëpisë të dhëna nga UEFA, por përballimi i problemeve me ultrasit e ndryshëm që do të vijnë në Tiranë. Roma, Leisteri, Marseja dhe Fejënordi kanë tifozë të tmerrshëm, ndër të cilët më të këqinjtë janë ata të Olimpikut të Marsejës, dhe që mund të krijojnë një “ferr” në kryeqytetin shqiptar. Kjo do të thotë se frika është e madhe në FSHF dhe vazhdojnë “lutjet”, si dhe kërkesat ndaj policisë për të mos lejuar një gjë të tillë. Kjo do të prishte edhe shijen e rreth 140 milionë eurove që mund të ishin xhiro financiare në Shqipëri nga ana e tifozëve dhe turistëve që do të vinin për finalen.
Sfidanti.al