Janë cilësuar dyshja e së ardhmes me fanelën kuqezi. Armando Broja dhe Myrto Uzuni janë dy sulmuesit e talentuar që i bënë vend vetes në kampionatet më të forta të botës, Premier Ligën angleze dhe La Ligën e Spanjës. Gjithsesi, këto kohë ata nuk kanë qenë shumë të lumtur, të paktën lidhur me detyrën kryesore të një sulmuesi. Broja dhe Uzuni nuk po shënojnë gola. Futbollisti i Sauthemptonit ka realizuar për herë të fundit në në Premier Ligë në 9 shkurt, në fitoren 3-2 në fushën e Totenhemit. Që nga ajo kohë, janë luajtur 10 ndeshje në kampionat dhe 20-vjeçari nuk ka mundur të shënojë, edhe pse është paraqitur shumë mirë në sfida të caktuara, siç ndodhi në “Old Traford” ndaj Mançester Junajtidit. Të mos harrojmë se Broja tundi rrjetën në 2 mars, në ndeshjen e Kupës së Anglisë ndaj Uest Hemit, fituar 3-1 nga Sauthemptoni.
Myrto Uzuni, ndërkaq, nuk ka arritur të zhbllokohet në Spanjë. Sulmuesi kuqezi ka qenë vazhdimisht titullar për Granadën në La Ligë, në 11 ndeshjet që janë luajtur që nga 6 shkurti, por nuk ka mundur të shënojë, edhe pse i është afruar golit. Gjithsesi, sulmuesit e tjerë kuqezinj duken më mirë. Rej Manaj është në formë dhe ka shënuar 5 gola në Serinë A për Specian. Sokol Cikalleshi ka 10 rrjeta në Superligën e Turqisë me Konjasporin dhe ka shënuar në 3 prill ndaj Goztepesë, dhe dy gola ndaj Kajserisporit në 13 mars. Sidoqoftë, sulmuesi që po shkëlqen më shumë është Xhakomo Vrioni. Futbollisti 23-vjeçar ka shënuar 15 gola gjithsej për Tirolin ne Bundesligën austriake, 5 nga të cilët në dy ndeshjet e fundit, përfshi edhe trigolëshin në fitoren 4-0 ndaj LASK-ut të Lincit.
Sfidanti.al