Fiton edhe Memfisi, raundi i dytë i plej ofit në NBA është gati!

Raundi i parë përfundoi dhe u mësuan fituesit. i fundit që e preu biletën ishte Memfis Grizlis, duke u kualifikuar me shifrat 4-2 me fitore ndaj Minesotës. Fitorja vendimtare ishte jashtë fushe me shifrat 114-106. Memfisi luajti si skuadër, dhe suksesi nuk ishte meritë vetëm e një emri. Xha Morant shënoi 17 pikë, pati 8 topa në tabela e 11 asistë, por edhe pjesa tjetër e ekipit ishte lart. Desmond Bejn shënoi 23 pikë, po aq sa Dilon Bruks, ndërsa Xherën Xheksën realizoi 18 pikë dhe kapi 14 topa në tabela. Plot 8 basketbollistë ishin në tabelën e shënuesve dhe 6 prej tyre realizuan me dy shifra. Kjo forcë kolektive bëri që të kapërcehej një kundërshtar shumë i fortë si Minesota, e cila luftoi fort deri në fund dhe që kishte cilësi të mëdha.

Edhe pse Karl-Entoni Tauns nuk ishte në formën e tij më të mirë, i mbuluar fort, ishin të tjerët që treguan veten. Tauns pati 18 pikë, 10 topa në tabela e 4 asistë, Eduards shtoi 30 pikë dhe Mekdeniels 24. Kjo seri ishte një betejë e vërtetë, siç theksoi pas ndeshjes Morant, ndërsa tani do të vijë prova e dytë, edhe më e vështirë, ajo ndaj Golden Stejtit. Memfisi do të ketë epërsinë e faktorit fushë, ndonëse vetëm kjo nuk do të mjaftojë përballë Stefën Kërrit apo Klej Tompsonit.

Sfidanti.al