Miluoki “flak tutje” Çikagon, por a do të mjaftojë Adetokumbo ndaj Bostonit?!

Raundi i ardhshëm do të jetë padyshim shumë më i vështirë. Miluoki, kampioni në fuqi i NBA-së, kaloi Çikagon me rezultatin 4-1 me fitore dhe do të ndeshet në gjysmëfinalen e Lindjes me Boston Sëlltiksat. Këta dolën në vend të parë në Konferencë dhe ndeshja e parë do të jetë në Boston. Miluoki ia doli 116-100 ndaj Çikagos udhëhequr nga kapiteni Janis Adetokumbo. Greko-afrikani shënoi 33 pikë dhe kapi 9 topa në tabela, si dhe shtoi 3 asistë në 30 minuta në parket, duke e humbur topin vetëm 2 herë. Padyshim që ai ishte më i miri në fushë, ndonëse Konauton shtoi 20 pikë, Portis pati 14 pikë e 17 topa në tabela, Bruk Lopez 12 pikë, Grejson Alen 13 pikë dhe Holidei 10 pikë e 9 asiste. Plot 8 lojtarë të Baksave shënuan pikë, kampionët dominuan tabelat (51-37), ndërsa përballuan mungesën e Kris Midëltonit që ishte i dëmtuar. Këtë e kanë bërë më parë, pasi fituan vjet finalen e Konferencës edhe pse Adetokumbo nuk luajti në 2 ndeshjet e tjera për shkak të një dëmtimi në gju. “Ne biseduam me njëri-tjetrin, – tha Janisi më pas, – dhe e kuptuam mirë se çfarë duhej të bënim. Duhej të ndihmonim njëri-tjetrin, të ishim të fortë në mbrojtje, të bënim kujdes në çdo detaj”.

Sfidanti.al