Stadiumi i kryeqytetit do të jetë gati i mbushur plot për ndeshjen e kthimit në Ligën e Konferencës, për të shkuar në finalen e Tiranës, që do të jetë vetëm disa qindra kilometra larg. Roma duket në pozitë të mirë në gjysmëfinalen ndaj Leisterit pas barazimit 1-1 në Angli, dhe mediat italiane shkruajnë se në “Olimpiko” pritet të jenë 70 000 tifozë. Po rikujtohen kohët e 1984-ës kur verdhekuqtë arritën finalen e parë europiane, atë në Kupën e Kampionëve ndaj Liverpulit. Zhoze Murinjo duket i qetë. “Barazimi është rezultat i pranueshëm, – tha ai, – pesë apo 6 muaj më parë, këtë ndeshje do ta kishim humbur, por duhet ta harrojmë tani sepse duhet të fitojmë me Bolonjën për të siguruar Ligën e Europës nga kampionati. Në ndeshjen e kthimit me Leisterin do të duhet më shumë koka, mendja e ftohtë, sesa emocionet”.
Sfidanti.al