Kampionatit i kanë mbetur edhe shtatë javë për t’u luajtur dhe megjithëse janë edhe 21 pikë në lojë janë shumë të pakta dilemat për t’u zgjidhur. Tiranën e pengon një llogari matematike për t’u shpallur kampion që tani, por që gjithsesi kjo është vetëm çështje ditësh. Bardheblutë kanë dominuar që nga dita e parë dhe tani ka mbetur për t’u parë vetëm se cilën skuadër kanë përzemër për ta shpërblyer me ndonjë pikë, apo do të vazhdojnë me të njëjtën ndershmëri deri në finish. Ndërkohë që në listën prej dhjetë ekipesh të Superiores ka edhe skuadra që kanë zhgënjyer dhimbshëm. Dhe në krye sigurisht që qëndron Teuta. Eshtë e çuditshme, se si kampionët e sezonit të kaluar, vetëm për çështje muajsh u kthyen në një skuadër pa formë, pa asnjë dëshirë për të dominuar sërish, madje në të kundërtën, gjithmonë e përgjumur, duke qenë shumë pak kundërshtarë për këdo që i dilte përballë. Tashmë durrsakët e eleminuar edhe nga kupa, nuk kanë më asnjë shans për të na përfaqësuar në kupat e Europës, madje rrezikojnë ndeshje shtesë, për të qëndruar në Superiore.
Ndërsa Dinamo që të gjithë i bëri entuziastë pas një kthimi të bujshëm, duhet të jetë simboli i një merkatoje jo profesionale, ku përbërja e të gjithë grupit, nuk ka asgjë të përbashkët me investimin. Në fillim u thirrën dhe u kujdesën të mbanin afër emrat më të mëdhenj të këtij klubi ndër vite, por duket se ideja nuk ishte për t’i përdorur si këshilltarë, por vetëm për pak kohë si aktorë të një shfaqeje. Dhe përfundimi është mallëngjyes, skuadra e 33 trofeve të mëdhenj do të kthehet sërish atje ku ka vuajtur vitet e fundit, pa lënë asnjë shenjë, përveçse me një logo të re që ja sajuan shpejt e shpejtë gjatë ditëve festive të rikthimit.
Ndërkohë që korçarët, të cilët prej kohësh po ju zvenitej gjithnjë e më shumë shkëlqimi i një lavdie të përkohshme, vetëm tani e kuptuar se janë të dënuar gati përjetë. Tashmë nuk mund të flitej më për pagesa europiane, emra sugjesionues, apo kafe të shtrenjta të stampuara në gjoks. Skënderbeu është kërusuar prej kohësh nga damka e UEFA-s dhe nuk kishte çfarë të bënte më në Superiore.