Zidane nis ndryshimet te Franca

Edhe pse ende nuk ka bërë grumbullimin e tij të parë si trajner i kombëtares së Francës, Zinedine Zidane ka nisur të vendosë rregullat e tij në përfaqësuese, teksa sipas “L’Equipe”, podologu i “Les Bleus”, Marc Retali, është larguar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Serge Isidro, i cili ishte pjesë e stafit teknik të prezantuar nga Federata Franceze e Futbollit këtë të martë.

Shkak për këtë ndryshim është bërë një intervistë e Retalit për “RMC Sport”, ku ai kishte folur publikisht për emocionin e tij pas realizimit të ëndrrës për të punuar me kombëtaren franceze. Retali, i cili më herët kishte punuar te Sochaux, Nanterre, si dhe me disa skuadra çiklizmi, nuk kishte marrë miratimin paraprak të drejtuesve të stafit mjekësor të kombëtares për intervistën.

Përgjegjësi i ekipit mjekësor, Hervé Collado, ka kritikuar mungesën e diskrecionit nga ana e Retalit. “Detyrimi për të ruajtur diskrecionin nuk u respektua”, deklaroi Collado, duke argumentuar se një sjellje e tillë nuk përputhet me kërkesat e pozicionit.

Retali është mbrojtur duke theksuar se në atë moment ende nuk kishte firmosur kontratën me kombëtaren, megjithatë kjo arsye nuk është konsideruar e mjaftueshme nga stafi i ri i drejtuar nga Zidane.

Në këtë mënyrë, ish-fituesi i “Topit të Artë” ka nisur të bëjë ndryshimet e para në kombëtaren franceze, duke vendosur që stafi i tij të funksionojë me rregulla të qarta sa i përket komunikimit publik dhe respektimit të diskrecionit.