Ky udhëtim është gjithnjë më i rëndësishmi. Kur thua Real i Madridit, përkthehet Champions, dhe spanjollët janë sot në Londër për çerekfinalen ndaj Çelsit në orën 21:00. Një përsëritje e gjysmëfinales së kaluar, fituar nga anglezët, edhe pse momenti duket i ndryshëm. Blutë e Londrës janë të tronditur për shkak të sanksioneve ndaj pronarit Roman Abramoviç, dhe paqartësisë për shitjen e aksioneve. Humbja 1-4 në shtëpi fundjavën e kaluar në Premier ndaj Brentfordit modest ishte një sinjal alarmi. Madrilenët ndërkaq i kanë të gatshëm të gjithë lojtarët kryesorë, edhe pse Hazar, Isko e Joviç nuk luajnë, ndërsa lajmi i madh është kthimi i trajnerit Ançeloti, pasi u shërua nga Kovidi. Për Realin, në konferencë për shtyp doli portieri Tibo Kurtua. “Këtë herë do të jetë ndryshe nga viti i kaluar , – tha belgu, – ndeshjen e dytë do ta kemi në shtëpi, tifozët tani janë të pranishëm në stadium. Jemi në formë të mirë dhe jemi me shpresë për sukses në këtë ndeshje. E dimë sesa e rëndësishme është çerekfinalja e Championsit, dhe e dimë se tek Reali duhet gjithnjë të fitosh trofe”.
Anglezët kanë pak mungesa si Çiluell dhe Hadson-Odoi, por Risi Xhejms është kthyer. Lukaku e Verner pritet të jenë sërish në stol, ndërsa trajneri Tomas Tuhel ka zgjedhur taktikën me sulmus të fshehur si Haverc e Pulishiç. Tuheli zgjodhi fillimisht të inkurajonte kolegun e tij, Ançeloti. “Sot ka mënyra të ndryshme për të qenë në kontakt me skuadrën, – tha gjermani, – teknologjia ndihmon, por është ndryshe të jesh direkt në drejtimin e ekipit. Shpresoj që t’ia dalë. Sa për ndeshjen, ne do të kemi përballë ekipin me më shumë përvojë në historinë e Championsit dhe kjo mjafton për ta shpjeguar vështirësinë”.
Dueli tjetër i sotëm në 21:00, është ai mes Vijarrealit dhe Bajernit. Gjermanët janë të qetë pasi kanë krijuar shkëputje në Bundesligë dhe cilësohen favoritë për kualifikimin. “Vijarreali ka një trajner me shumë përvojë, – tha tekniku bavarez, Nagelsman, – edhe ekipi spanjoll ka shumë eksperiencë dhe do të luajë lirshëm. Gjithsesi, unë kam besim se do t’ia dalim”. Bajerni nuk ka probleme me përjashtim të Dejvisit dhe Çupo-Motingut, por Levandovski, Gorecka dhe Zyle priten në formacion.
Sfidanti.al