I pari cilësohet si mjeshtri i futbollit sulmues, i atij stili që ia merr frymën kundërshtarit me presing deri në zotërimin e topit, dhe që pastaj e trullos rivalin me qarkullimin e sferës pafund në të gjitha anët. Një futboll që kërkon gjithnjë spektaklin, gjithnjë fantazinë më të fundit mundësisht më të shfrenuar, dhe që njihet me emrin “tiki taka”. Shumica e tifozëve në botë, edhe ata kundërshtarët fshehtazi, e kanë zili Pep Guardiolën për mënyrën sesi luajnë skuadrat e tij.
Gjithsesi, sot katalanasi do të ketë përballë një rival që është krejt e kundërta e tij, edhe pse pa “specin djegës” të Zhoze Murinjos. Diego Pablo Simeone është trajneri që pëlqen thelbin ndaj formës, që dëshiron fitoret me sakrificë, me vrapim, me përplasje, shkelma e nerva, me lojë direkte, mbrojtje të fortë dhe kundërsulm. Në ndeshjet e grupit, ishte Jurgen Klopi i Liverpulit që tha se “ata kanë stil tjetër nga ne, që mua nuk më pëlqen, por që ata e bëjnë mirë”. Më pas, Ksavi Hernandez i Barcelonës deklaroi se “ne nuk mund të luajmë kurrë me stilin e Atletikos së Simeones”.
Një Mançester Siti-Atletiko Madrid është duel anglo-spanjoll, dhe iberikët do të jenë të rrezikshëm edhe pse “qytetarët” janë padyshim favoritë. Në raundin e kaluar, Atletiko eliminoi Mançester Junajtidin duke e mundur 1-0 në “Old Traford”, edhe pse me lojë tërësisht në mbrojtje. Siti ka dy mungesa të rëndësishme në mbrojtje, Uolkerin e pezulluar dhe Diazin e dëmtuar, ndërsa Stouns shpresohet të jetë gati. Në mesfushë e në sulm nuk ka shqetësime të tjera, me përjashtim të të riut Koul Palmer. Tek Atleti, mungon Karrasko i pezulluar, ndërsa Hoze Himenez e Hektor Herrera janë të dëmtuar.
Mançester Siti: Ederson, Kanselo, Laporte, Stouns, Zinçenko, Bernardo Silva, Rodri, De Brujne, Mahrez, Foden, Stërling.
Atletiko Madrid: Oblak, Saviç, Hermoso, Reinildo, Jorente, De Pol, Kondogbia, Koke, Lodi, Grizman, Zhoao Feliks.
Sfidanti.al