Interi nuk ia dilte në Torino ndaj Juventusit që nga viti 2012, dhe nuk është se kishte ndonjë besim të madh për ekipin nën drejtimin e trajnerit Simone Inzagi. Zikaltërit treguan se edhe pas largimit të Kontes, edhe me Inzagin, e kanë mentalitetin fitues duke ia dalë në momentin më të vështirë, dhe në fushën më të vështirë. “Djemtë u treguan tepër të zotë, – tha tekniku, të cilit i kishte ikur zëri, – e dimë sesa e vështirë është të fitohet këtu. Kishim 11 vjet pa ia dalë, ndaj kënaqësia është e madhe. Gjithsesi, ishte vetëm një hap. Në këtë moment jemi në ndjekje të Milanit e Napolit. E dimë se gara do të jetë e gjatë, por do të bëjmë ç’mos për t’ia dalë”. “Po, Interi është, – titullon “La Gazeta delo Sporti”, – goditje për titull e zikaltërve, mundet Juvja! Nuk mjafton “Zonja” më e bukur!”
Sfidanti.al