Mançini, Kielini e Zhorginjo, tregojnë zhgënjimin pas humbjes

Për trajnerin e kombëtares së Italisë e ardhmja, në këtë moment, nuk ekziston. Është tepër i mërzitur Roberto Mançini për eliminimin e ekipit të tij në plej ofin e Botërorit pas humbjes jashtëzakonisht të papritur ndaj Maqedonisë së Veriut. “Ky është zhgënjimi më i madh i karrierës sime, – tha ai, – ashtu si Euro 2020 ishte lumturia më e madhe. Nuk duhej të kishim arritur deri këtu, duhej të ishim kualifikuar më parë. Në këtë ndeshje bëmë gjithçka për të fituar. Sa për të ardhmen time, mendoj se nuk është koha tani për të folur, jemi shumë të zhgënjyer”. Xhorxho Kielini hodhi poshtë akuzat se ekipi ishte treguar arrogant. “Problemi është se Italia bëri gabime dhe pagoi për to, – tha mbrojtësi juventin, – jemi të zhgënjyer shumë, të shkatërruar, por duhet të ngrihemi përsëri”. Më i mërzituri u duk Zhorginjo, sepse mesfushori i Çelsit fajësoi veten për humbjen e penalltive gjatë ndeshjeve eliminatore, ndërsa po t’i kishte shënuar Italia mund të kishte qenë kualifikuar pa plej of.

Sfidanti.al