Milani ndoshta ende ka nevojë për të, ndonëse “fëmijët” tashmë janë rritur. Trajneri Stefano Pioli tregoi se Zllatan Ibrahimoviç është përmirësuar fizikisht dhe sipas të gjitha gjasave udhëton me skuadrën sot për në Napoli. Luhet një sfidë tepër e rëndësishme e Serisë A, dhe Ibra ia del në momentin e fundit pas 42 ditëve mungesë, ndonëse besohet se do të jetë i ulur në stol me tuta, kur të vërshëllehet fillimi i ndeshjes. Për Milanin, suedezi mbetet i rëndësishëm sepse në 11 ndeshje që ka luajtur gjithsej në Serinë A ka shënuar 8 gola. Dy skuadrat luajnë sonte në 20:45 në stadiumin “Maradona” dhe Pioli do të kërkojë të marrë pikën e parë përballë trajnerit rival, Spaleti, në ndeshjet jashtë fushe. Në 11 përballje gjithsej ka fituar vetëm 3 pikë. Kuqezinjtë do të kenë vetëm 2 mungesa të sigurta, Kjerin dhe Romanjolin.
Formacioni i mundshëm: Menja, Kalabria, Tomori, Kalulu, Hernandez, Tonali, Benaser, Selemekers, Kesie, Leao, Zhiru.
Sfidanti.al