Të kuqtë patën përballë një skuadër shumë të fortë, që jo më kot lufton për Championsin. Uest Hemi u mbajt fort në “Anfild” duke humbur vetëm 0-1 e duke krijuar raste për të rrezikuar fitoren e vendasve, po gjithsesi fitorja ishte e merituar. Trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, ishte shumë i lumtur për lojën e të vetëve, edhe pse kalendari është i ngjeshur dhe lodhja e madhe. “Jam i kënaqur me ekipin, – tha Klopi, – Uest Hemi është ekip shumë direkt, shumë luftarak dhe e patëm të vështirë, por ne patëm rastet tona dhe u mbrojtëm fort. Patëm edhe fat, por futbolli ka edhe fatin si element. Jam shumë i lumtur me rezultatin, ndërsa nuk dua të flas për titullin tani, as për Mançester Sitin dhe as për derbin e tij ndaj Junajtidit”.
Të kuqtë patën 69 për qind zotërim topi, shumë lart kur ke përballë Uest Hemin, patën 22 gjuajtje drejt portës (13, Uest Hemi), ndonëse në portë ishin nga 5. Tashmë, Liverpuli është vetëm 3 pikë prapa Mançester Sitit që kryeson Premier Ligën, duke pasur 63 pikë ndaj 66 të kampionëve, dhe me golaverazhin më të mirë (+51 ndaj +47). Ekipi i Klopit nuk ka humbur asnjë ndeshje në 2022, në asnjë kompeticion, ndërsa sapo ka fituar Kupën e Ligës. Gjithsesi, kjo u arrit edhe falë portierit Alison që bëri 5 pritje të shkëlqyera ndaj Uest Hemit.
Sfidanti.al