Ky është Derbi i bekuar, në djall të shkojë “derbi i shpifur” i shefave!

Ky derbi i sotëm Tirana –Partizani pritet t’i kthejë “pronësinë’ futbollit pasi janë shitur tërë biletat e stadiumit “Air Albania”, duke lënë pas edhe “rekordet e krizës” që u vendosën në këtë stadium nga organizimi i kongresit të PS-së apo Foltores së PD-së. Ky Derbi sotëm , do të jetë si një akt rebelimi për nga përmasat e popullimit, dhe duket sikur po kthehen në “shtëpinë e topit ” gjithë tifozët që ishin arratisur nga ndeshjet e kampionatit. Kur përballen Tirana dhe Partizani, kemi rastin të kuptojmë se është e vetmja “kishë” për të falur gjithë mëkatet dhe çmenduritë që pjellin njerëzit që rrethojnë futbollin.

Do të jetë ky Derbi, si një lloj ilaçi shpirtëror pas gjithë atij skenari të ndotur dhe të turpshëm që ndodhi këto ditë me fushatën më të shpifur të zgjedhjeve, ku “treshja e Bermudës”, zoti Rama, Ceferini i UEFA-s dhe “plakushi Duka”, që nuk shkulet nga froni i FSHF-së , kombinuan aq bukur dhe me djallëzi, sa një ndeshje të trukuar me mjeshtri dhe ligësi shefash, populli i gjorë i futbollit po e ndiqte si të vërtetë…

Ky Derbi , për të cilin thuhet se do të shitet shtrenjtë në ankandin e vlerave të sezonit , do të vendosë shumë rekorde në krahasim me ndeshjet derbi që kanë luajtur rivalët historike. Ku do të gjenim një ndeshje tjetër kaq të madhe, në një futboll kaq të vogël, ku të ndërthurren në “lojë” të dy stadiumet e kryeqytetit, njëri si sportel për të shitur biletat, “Selman Stërmasi” dhe tjetri “Air Albania”, i gatshëm si një tempull.. për të na shitur historinë.

Sfidanti. Al